Secondary Adv

Bllokimi i rrugës godet turizmin në Korçë-Pogradec dhe rrit çmimet në treg

Izolimi i aksit Librazhd-Përrenjas po sjell rënie rezervimesh dhe shtrenjtim ushqimesh.

Bllokimi i rrugës Librazhd-Përrenjas pas shembjes së dherave ka ndikuar drejtpërdrejt në turizmin e juglindjes, duke boshatisur Korçën, Dardhën dhe Pogradecin nga vizitorët e fundjavës. Bizneset e hotelerisë dhe restoranteve raportojnë mungesë të plotë rezervimesh të reja, ndërsa e cilësojnë situatën si një ndarje “me thikë” të zonës nga pjesa tjetër e Shqipërisë për shkak të ndërprerjes së lidhjes kryesore rrugore me Tiranën.

 

Pista e Dardhës pa turistë

Sokrat Tasho, përfaqësues i resortit “Ski-Pista Bigëll” në Dardhë, tha për “Monitor” se një ditë pas bllokimit, pista e skive dhe vilat e drurit u boshatisën. Sipas tij, pjesa më e madhe e klientëve janë nga Tirana dhe mungesa e një rruge të drejtpërdrejtë ka sjellë anulime dhe pasiguri. Ai thekson se aktualisht nuk ka asnjë rezervim të ri dhe se pak turistë janë të gatshëm të përshkojnë një itinerar deri në 6 orë apo të kalojnë nga Maqedonia e Veriut, ku kërkohen dokumente shtesë dhe siguracion.

 

Resorti zotëron 9 vila druri, të cilat në muajin shkurt zakonisht janë të rezervuara për shkak të borës dhe motit të ftohtë, por këtë javë rezultojnë bosh. Tasho parashikon që situata të vijojë derisa rruga të rikthehet në funksion normal.

 

Hotele dhe restorante pa prenotime

Në Korçë dhe Pogradec situata paraqitet e njëjtë. Përfaqësues të “Vila Cofiel” në Korçë deklarojnë se ndryshe nga periudhat normale kur rezervimet për fundjavë mbyllen që të hënën, këtë javë nuk është bërë asnjë prenotim i ri. Edhe Markel Bimbli nga “Vila Bimbli” në Pogradec konfirmon mungesë totale rezervimesh, duke theksuar se edhe në dimër, megjithëse më të pakta, zakonisht ka kërkesa nga turistët e Tiranës. Sipas tij, rrugët alternative zgjasin më shumë dhe rrisin kostot e udhëtimit.

 

Çmimet e zarzavateve rriten deri në 50%

Bllokimi ka ndikuar edhe në furnizimin me produkte ushqimore. Në tregun e Pogradecit raportohen rritje çmimesh nga 20 deri në 50%. Sipas qytetarëve, kastraveci nga 200 lekë/kg ka shkuar në 300 lekë/kg, domatja nga 200 në 250 lekë/kg dhe speci nga 200 në 250 lekë/kg. Tregtarët shprehen se mungesa e mallrave dhe kostot më të larta të transportit po reflektohen drejtpërdrejt në çmime. Po ashtu, në disa raste, bileta e furgonëve në linjën Tiranë-Korçë është rritur deri në 40%.

 

Pa afat për aksin e ri

Për zgjidhjen e situatës, Autoriteti Rrugor Shqiptar është angazhuar për ndërtimin e një aksi të ri përgjatë lumit Shkumbin, por ende nuk është bërë publik një afat për përfundimin e punimeve dhe rikthimin e qarkullimit normal drejt qyteteve të juglindjes përmes aksit të Librazhdit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat